Dje, më 14 gusht, në Vigjiljen e festës së Të Ngriturit të së Lumes Virgjër Mari në Qiell, besimtarë u bashkuan në lutje dhe në shtegtim. Shkëlqesia e Tij, Imzot Dodë Gjergji, udhëhoqi shtegtimin tradicional nga Kisha e Zemrës së Krishtit në Viti drejt Shenjtërores së Zojës në Letnicë. Ky shtegtim ishte shprehje e gjallë e fesë, e përshpirtërisë dhe e dashurisë së popullit tonë ndaj Nënës së Hyjit. Gjatë rrugëtimit, besimtarët iu drejtuan Marisë me lutje dhe këngë, duke ia besuar asaj jetën, familjet dhe nevojat e tyre.
Me të mbërritur në Shenjtëroren e Letnicës, besimtarët si bashkësi e vërtetë moren pjesë me devotshmëri në Meshën e Shenjtë, të kryesuar nga Imzot Dodë Gjergji. Në dritën e Fjalës së Hyjit dhe rreth tryezës së Eukaristisë, të pranishmit përjetuan gëzimin e bashkimit si një familje e vetme në Krishtin. Kremtimi mori një domethënie të veçantë me ndarjen e Sakramentit të Pagëzimit dhe Krezmimit. përmes ujit dhe Shpirtit Shenjt, të pagëzuarit u rilindën në Krishtin dhe u bënë gjymtyrë të gjalla të Kishës së Tij.
Bashkësia i priti me gëzim të madh në gjirin e Kishës, duke falënderuar Hyjin për dhuratën e jetës së re dhe të fesë. Gëzimi i të pagëzuarve u bë gëzimi i mbarë bashkësisë së mbledhur në Shenjtëroren e Zojës.
Kjo vigjilje na kujtoi se Maria, e ngritur në lavdinë qiellore, vazhdon ta drejtojë popullin e Hyjit drejt Birit të saj, Jezu Krishtit. Nën mbrojtjen e Zojës së Letnicës, besimtarët u kthyen në shtëpitë e tyre të përtërirë në fe, të forcuar në shpresë dhe të thirrur për ta dëshmuar Ungjillin në jetën e përditshme.