Para se të hyjë në reflektimin për Inteligjencën Artificale, në enciklikën “Magnifica humanitas”, Papa Leoni XIV shqyrton risitë teknologjike në përgjithësi dhe ndikimin e tyre mbi njerëzimin si të tillë. Në vetvete, këto risi mund të bëhen një ndihmë e madhe për zhvillimin njerëzor të gjithanshëm dhe për kujdesin ndaj Shtëpisë së përbashkët, por mund të veprojnë edhe si përshpejtues të paradigmës teknokratike, prandaj, kanë nevojë për një kuadër të ri shpirtëror, etik dhe politik. [...]
Kulla e Babelit dhe Jerusalemi i Nehemisë
Në kapitullin e tretë të enciklikës, Ati i Shenjtë vë në dukje ç’është vërtet në lojë, duke bërë një krahasim: nga njëra anë kulla e Babelit, ku vepra e përbashkët e njeriut udhëhiqet nga një projekt për sundim, që përfundon duke e tjetërsuar vetë njeriun (shih Zan 11,1-9); nga ana tjetër rrënojat e Jerusalemit, që nën Neheminë profet rindërtohen pjesë pas pjese, si vepër e përgjegjësisë së përbashkët (shih Neh 2-6). Jemi të thirrur – kërkon Papa - ta pyesim veten mbi kantierin e madh të epokës sonë: çfarë po ndërtojmë? Ndërsa zhvillimi teknologjik ndryshon me shpejtësi gjuhët, marrëdhëniet, institucionet dhe format e pushtetit, ne besimtarët duhet dhe mund të zgjedhim se për cilin projekt të punojmë dhe me çfarë stili, për ta ruajtur dhe vlerësuar njerëzimin e madhërishëm, që na është dhënë si dhuratë. Nuk është fjala për të ardhmen, por për të tashmen, sepse Inteligjenca Artificiale dhe teknologjitë e tjera të reja janë tashmë pjesë e jetës sonë të përditshme.
Papa është i bindur se bashkësia e krishterë duhet të reflektojë gjithnjë mbi mënyrën konkrete me të cilën jetohen marrëdhëniet shoqërore në dritën e Ungjillit, pasi kjo varet nga momenti historik. Nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt, Kisha shndritet nga Fjala e Zotit për të interpretuar shenjat e kohëve dhe për të kërkuar me krijimtari rrugë të reja, që marrëdhëniet mes personave dhe popujve të përputhen me kërkesat e Mbretërisë së Hyjit. Prandaj, Leoni XIV i nxit të gjithë, në mënyrë të veçantë besimtarët laikë, të provokohen nga realiteti, të vihen në dëgjim të ndërsjellë dhe të marrin me vendosmëri përgjegjësinë e vet në ndërtimin e një shoqërie më njerëzore dhe më vëllazërore.
Rreziku që njerëzimi të bëhet viktimë e arritjeve të tij
Rreziku që njerëzimi të bëhet viktimë e vetë arritjeve të tij Që në enciklikën Laudato si’, Papa Françesku denonconte afirmimin e një paradigme teknokratike në botën e globalizuar (Françesku, enc. Laudato si’, 106-109): prirjen për të lejuar që logjika e rendimentit, e kontrollit dhe e fitimit të orientojë, e vetme, vendimet personale, shoqërore dhe ekonomike. Kjo paradigmë ka marrë hov me shpejtësi në vitet e fundit, edhe për shkak të përhapjes së Inteligjencës Artificiale, nanoteknologjisë, robotikës dhe bioteknologjisë. Në vetvete, këto risi mund të bëhen një ndihmë e madhe për zhvillimin njerëzor të gjithanshëm dhe për kujdesin ndaj Shtëpisë së përbashkët, por mund të veprojnë edhe si përshpejtues të paradigmës teknokratike, prandaj, kanë nevojë për një kuadër të ri shpirtëror, etik dhe politik.
Rreziku që njerëzimi të bëhet viktimë e vetë arritjeve të tij u denoncua me kthjelltësi nga Papa shenjt Pali VI, kur paralajmëroi se «përparimet shkencore më të jashtëzakonshme, bëmat teknike më mahnitëse, rritja ekonomike më e jashtëzakonshme, nëse nuk janë të bashkuara me një përparim të mirëfilltë shoqëror dhe moral, në fund kthehen kundër njeriut» (Papa shenjt Pali VI, Fjalim me rastin e 25-vjetorit të FAO (16 nëntor 1970). Prandaj, përparimi teknik, i çmuar në vetvete, kërkon shoshitje mbi vizionin antropologjik që e udhëheq dhe mbi qëllimet që ndjek. Nëse zhvillimi teknologjik ecën pa maturinë e duhur etike dhe shoqërore, mund të ndodhë që të “kemi më shumë”, por të mos “jemi më shumë” dhe, njeriu ka rrezik të vlerësohet vetëm mbi bazën e rezultateve, që garanton (Papa Françesku, Fjalimi para Këshillit për një kapitalizëm gjithëpërfshirës, 11 nëntor 2019).
Kontrolli nuk është më privilegj i shteteve
Në shumë raste, në kontekstin dixhital – denoncon Papa Leoni XIV në enciklikën “Magnifica humanitas” - kontrolli i platformave, i infrastrukturave, i të dhënave dhe i aftësisë për llogaritje nuk është privilegj i shteteve, por i protagonistëve të mëdhenj ekonomikë dhe teknologjikë që, faktikisht, vendosin kushtet e përdorimit, rregullat për të qenë i dukshëm në internet dhe vetë mundësitë e pjesëmarrjes. Kur një pushtet i kësaj përmase përqendrohet në pak duar, ka prirjen të bëhet i errët dhe t’i shpëtojë kontrollit publik, duke shtuar rrezikun e një zhvillimi, që krijon varësi të reja, përjashtime, manipulime dhe pabarazi.
Përballë këtij përqendrimi pushteti në botën dixhitale, parimet e mëdha të Doktrinës Shoqërore të Kishës bëhen kritere për të gjykuar skenarin e ri: dinjiteti i patjetërsueshëm i personit, e mira e përbashkët, destinacioni universal i të mirave, subsidiariteti, solidariteti dhe drejtësia shoqërore. Përmes tyre mund të verifikohet nëse pushteti i infrastrukturave dixhitale dhe i algoritmeve favorizon vërtet pjesëmarrjen dhe përgjegjësinë, mbron më të brishtët, siguron mundësi të barabarta dhe orientohet drejt së mirës së të gjithëve. Këto janë premisat me të cilat Papa Leoni XIV shqyrton ndikimin e Inteligjencës Artificiale, mundësitë që ajo hap dhe rreziqet që sjell. (R.SH. – Vatikan)