Të shtunën, më 16 maj 2026, në Shenjtëroren e Letnicësnë Letnicë, u kremtua Sakramenti i Krezmimit gjatë Meshës së Shenjtë të udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji. Në këtë kremtim solemn morën pjesë shumë besimtarë, familjarë dhe të afërm të kandidatëve për Krezmim, të cilët u bashkuan në lutje dhe gëzim për këtë ditë të rëndësishme shpirtërore.
Të rinjtë dhe të rejat, e famullisë së Letnicës, Stubllës dhe Binçës, pranuan Sakramentin e Krezmimit dhe ripërtërinë premtimet e Pagëzimit, duke u forcuar me dhuratat e Shpirtit Shenjt. Sakramenti i Krezmimit është një moment i rëndësishëm në jetën e të rinjve, sepse i ndihmon ata të rriten në fe dhe të jetojnë më me vetëdije thirrjen e tyre të krishterë. Përmes këtij sakramenti, Shpirti Shenjt i forcon që të jenë dëshmitarë të dashurisë, të paqes dhe të shpresës së Krishtit në jetën e përditshme.
Në predikimin e tij, Imzot Dodë Gjergji foli mbi rëndësinë e jetës së lutjes dhe të qëndrimit besnik ndaj Ungjillit në sfidat e kohës së sotme. Ai i ftoi të rinjtë që të mos kenë frikë ta dëshmojnë fenë e tyre dhe të mbështeten gjithmonë në udhëheqjen e Shpirtit Shenjt. Famullitari falënderoi Ipeshkvin për praninë dhe kujdesin e tij Baritor. Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe prindërve, Motrave të Nderit për përgatitjen dhe mbështetjen e të rinjve në këtë rrugëtim shpirtëror. Kremtimi përfundoi në atmosferë gëzimi, lutjeje dhe bashkimi kishtar.