Në katekizmin e Mbretëreshës Qiellore, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa reflektoi mbi vlerën e marrëdhënieve autentike: nuk nënkuptojnë "shantazhe" a "pezullime të dyshimta", aq më pak "por" a "ndoshta", ndërsa bëhen gurrë dhuratash të ofruara "pa dashur të zotërojnë" dhe të një jete të dhënë, "pa marrë asgjë në këmbim"
"Nëse më doni, do t'i mbani urdhërimet e mia". Pohimi i Jezusit gjatë Darkës së Mbrame i habit dishepujt, e edhe besimtarët e sotëm, sepse i çliron nga marrëdhënia e dyshimeve dhe e shantazhit. Është e qartë në dhurimin pa rezerva, pa pritur asgjë në këmbim. Është dhuratë dashurie, sepse premton mbështetje në provat e jetës, atë Paraklit që "bota nuk mund ta pranojë", duke këmbëngulur në shtypjen e të varfërve, në përjashtimin e të ligshtëve e vrasjen e të pafajshmëve. Këto janë reflektimet që Papa Leoni XIV u ofroi besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit sot, më 10 maj, për kremtimin e Mbretëreshës Qiellore.
Katekizmi i Papës bazohet mbi fragmentin e Ungjillit të Gjonit dhe në fjalët e thëna nga Jezusi, ndërsa "e bën bukën dhe verën shenjë të gjallë të dashurisë së tij". Duke treguar respektimin e urdhërimeve si pasojë të drejtpërdrejtë të kësaj, Zoti "na çliron nga një keqkuptim", vëren Ipeshkvi i Romës:
Nga ideja se jemi të dashur, nëse i zbatojmë urdhërimet: drejtësia jonë do të ishte atëherë kusht për dashurinë e Zotit. Përkundrazi, dashuria e Zotit është kusht për drejtësinë tonë.
T'i përmbushësh urdhërimet sipas vullnetit të Zotit, pohon Papa, do të thotë ta njohësh dashurinë e tij për ne, "ashtu si ia zbulon Krishti botës", duke na ftuar në marrëdhënie, jo në "shantazh a në pezullim të dyshimtë".
Ja pra pse Zoti na urdhëron ta duam njëri-tjetrin ashtu siç na deshi Ai: është dashuria e Jezusit që e bën të lindë në ne dashurinë.
Lidhje që lindin lidhje të tjera dhe që në Krishtin gjejnë shprehjen e tyre më të qartë: një dashuri "besnike përgjithmonë, e pastër dhe e pakushtëzuar", që nuk njeh "por" as "ndoshta", e dhurohet "pa dashur të zotërojë", duke dhënë jetën "pa marrë asgjë në këmbim".
Meqenëse Zoti na do i pari, edhe ne mund të duam; e kur e duam vërtet Zotin, e duam vërtet edhe njëri-tjetrin.
Besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit (@Vatican Media) (@Vatican Media)
E gjithë kjo, theksoi Leoni XIV, ka të bëjë konkretisht me vetë jetën: "vetëm ai që e mori, mund ta jetojë, e kështu vetëm kush u desht, mund edhe të dojë".
Urdhërimet e Zotit janë pra urdhër i jetës, që na shëron nga dashuritë e rreme; ato janë stil shpirtëror, rrugë drejt shpëtimit.
Shenjë e dashurisë së Zotit për njeriun, pohoi Papa, është edhe premtimi i Paraklitit, dhuratë që "nuk na lë vetëm në provat e jetës". Është "avokati mbrojtës" dhe "Shpirti i së vërtetës", të cilin, megjithatë, "bota nuk mund ta pranojë" sepse është kokëfortë në të keqen. Të korrespondosh me dashurinë universale të Jezusit, do të thotë të gjesh në Shpirtin Shenjt një aleat të palëkundur.
Gjithmonë dhe kudo, pra, mund ta dëshmojmë Zotin, që është dashuri: kjo fjalë nuk do të thotë ide e mendjes njerëzore, por realitet i jetës hyjnore, me anë të së cilës të gjitha gjërat u krijuan nga asgjëja dhe u shpenguan nga vdekja.
Përmes ofertës së dashurisë së vërtetë dhe të amshuar, Jezusi e ndan identitetin e tij si "Bir i Dashur". Pohim që përgënjeshtron "Akuzuesin, domethënë kundërshtarin e Paraklitit, shpirtin që i kundërvihet mbrojtësit tonë".
Ndërsa Shpirti Shenjt është forca e së vërtetës, ky Akuzues është ati i gënjeshtrave, që kërkon ta nxisë njeriun kundër Perëndisë e njerëzit kundër njëri-tjetrit: krejt e kundërta e asaj që bën Jezusi, duke na shpëtuar nga e keqja dhe duke na bashkuar si vëllezër e motra në Kishë.
R.V.SH