Prishtinë, 4 shtator 2026 -
Me rastin e dhjetëvjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë u mbajt Koncert solemn organistik, interpretuar nga Josep Solé Coll, organist titullar i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan.
Përmes interpretimit të tij mjeshtëror, maestro Josep Solé Coll e mbushi Katedralen me tinguj solemnë, duke krijuar një atmosferë të thellë shpirtërore, lutjeje dhe falënderimi. Koncerti u përjetua jo vetëm si një ngjarje e rëndësishme kulturore, por edhe si një homazh i denjë për Nënë Terezën, bijën e popullit shqiptar dhe dëshmitaren e jashtëzakonshme të dashurisë së krishterë.
Në përfundim të koncertit, Shkëlqesia e Tij, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Dioqezës Prizren–Prishtinë, e falënderoi përzemërsisht maestro Josep Solé Coll për praninë e tij dhe për interpretimin e jashtëzakonshëm. Imzot Gjergji shprehu mirënjohjen e tij ndaj organistit titullar të Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan për këtë dhuratë të çmuar artistike dhe shpirtërore, e cila i dha një madhështi të veçantë kremtimit të dhjetëvjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës.
Dhjetë vjet pas shpalljes së saj shenjtëreshë nga Papa Françesku, më 4 shtator 2016, jeta dhe vepra e Nënë Terezës vazhdojnë të jenë një thirrje e fuqishme për ta njohur dhe për ta dashur Krishtin në fytyrën e çdo njeriu, veçanërisht në më të varfrit, të braktisurit dhe të vuajturit.