Më 26 prill u kremtua festa e famullisë “Nëna e Këshillit të Mirë” në Klinë. Mesha e Shenjtë u udhëhoq nga Ipeshkvi ynë, Shkëlqesia e Tij, Imzot Dodë Gjergji, në bashkremtim me shumë meshtarë të Dioqezës. Pjesëmarrja e madhe e besimtarëve dëshmoi dashurinë dhe besimin e tyre, të shprehur përmes lutjeve drejtuar Nënës së Këshillit të Mirë, së cilës iu afruan për të ndërmjetësuar për nevojat e tyre shpirtërore.
Në fjalën e tij, Imzot Dodë Gjergji theksoi se kjo kishë famullitare gëzon statusin e Kishës Jubilare nga 26 prilli 2026 deri më 26 prill 2027. Gjatë kësaj periudhe, të gjitha famullitë e Dioqezës mund të organizojnë pelegrinazhe për të marrë pjesë në Meshën e Shenjtë dhe për të fituar ndjesën e plotë. Ai foli gjithashtu për rolin e Nënës së Këshillit të Mirë si mbrojtëse e besueshme në jetën e njeriut, duke vënë në pah rëndësinë e lutjes, durimit dhe dorëzimit të jetës në duart e Birit të saj, Jezu Krishtit.
Përveç Meshës së Shenjtë dhe procesionit, famullia kishte organizuar edhe një koktej për të gjithë të pranishmit, duke krijuar një atmosferë vëllazërore dhe festive. Në përfundim, famullitari, njëherësh edhe kancelari i ipeshkvisë, falënderoi Ipeshkvin dhe të gjithë të pranishmit, duke uruar bekime dhe të mira për të gjithë në këtë vit jubilar.