Sot, më 23 maj, në Katedrale në Prizren u kremtua Festa e Zojës Ndihmëtare, një ditë e dashur për besimtarët që me fe dhe mirënjohje u mblodhën për të nderuar Nënën e Krishtit dhe Nënën e Kishës. Mesha e shenjtë u kremtua nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren Prishtinë, në praninë e meshtarëve, motrave rregulltare dhe shumë besimtarëve që morën pjesë në këtë kremtim.
Kjo festë ishte një rast i bukur për t’u ndalur në lutje, për të falënderuar Zotin dhe për t’ia besuar Zojës së Bekuar jetën personale, familjet, të rinjtë, të sëmurët dhe të gjithë ata që kanë nevojë për ngushëllim e shpresë. Në atmosferën e kremtimit u ndje fuqishëm dashuria e popullit ndaj Marisë, e cila me butësinë e saj amnore i drejton zemrat tona kah Krishti. Prania e besimtarëve dëshmoi lidhjen e gjallë me Kishën dhe dëshirën për të jetuar fenë me më shumë përkushtim. Fjala e Zotit dhe Eukaristia ishin qendra e kësaj dite, duke i ftuar të gjithë të rriten në besim, në dashuri dhe në shërbim ndaj njëri tjetrit.
Festa e Zojës Ndihmëtare në Prizren mbetet një moment i veçantë bashkimi shpirtëror, ku lutja personale bëhet lutje e përbashkët duke ju besuar plotësisht vullnetit të Zotit. Me besim të ripërtërirë, besimtarët e pranishëm u kthyen në jetën e përditshme duke bartur me vete paqen, bekimin dhe kujtesën se Maria vazhdon ta shoqërojë Kishën me ndërmjetësimin e saj amnor.