Më 15 gusht, në Shenjtëroren e Zojës në Letnicë, u kremtua me solemnitet Festa e Të Ngriturit e Shën Marisë Virgjër në Qiell, njëra ndër festat më të dashura për besimtarët tanë. Pas Vigjiljes dhe shtegtimit tradicional të një nate më parë, besimtarët u mblodhën përsëri rreth altarit të Zotit për ta nderuar Marinë, Nënën e Krishtit dhe Nënën e Kishës.
Meshën e Shenjtë e kryesoi Shkëlqesia e Tij, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit. Në bashkëkremtim me Shkëlqesinë e Tij, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, dhe Shëlqesinë e Tij Imzot Zef Gashi, Arqiipeshkëv në pension, si dhe meshtarët e Dioqezës sonë. Prania e tre barinjve të Kishës dhe e meshtarëve rreth të njëjtit altar ishte një dëshmi e bukur e bashkimit, vëllazërisë dhe afërsisë ndërmjet Kishës Katolike në Kosovë dhe asaj në Shqipëri.
Besimtarët morën pjesë me devotshmëri në Liturgjinë e Fjalës dhe në kremtimin e Eukaristisë, duke ia paraqitur Hyjit lutjet, familjet, vuajtjet dhe shpresat e tyre. Në këtë ditë të madhe, Kisha sodit Marinë, e cila, pas përfundimit të jetës së saj tokësore, u mor me trup dhe me shpirt në lavdinë qiellore. Të Ngriturit e Marisë në Qiell është për të gjithë besimtarët shenjë e shpresës së sigurt dhe dëshmi e asaj që Hyji ka përgatitur për ata që e duan dhe i qëndrojnë besnikë. Maria na mëson ta dëgjojmë Fjalën e Hyjit, ta pranojmë vullnetin e Tij dhe ta jetojmë fenë me përvujtëri, guxim dhe dashuri të sinqertë. Ajo nuk e largon njeriun nga Krishti, por e merr për dore dhe e drejton gjithmonë drejt Birit të saj, burimit të shpëtimit dhe të jetës së pasosur. Në qendër të kremtimit qëndroi Jezu Krishti, i pranishëm në Fjalën e shpallur dhe në Sakramentin e Eukaristisë. Rreth Tij, bashkësia u bë një trup i vetëm, e bashkuar në lutje dhe në falënderim.
Shenjtërorja e Zojës në Letnicë u bë edhe një herë vend takimi, pajtimi dhe shprese, ku besimtarët ia besuan Marisë jetën personale, familjet, të rinjtë, të sëmurët, mërgimtarët dhe të ardhmen e popullit tonë. Ky kremtim solemn dëshmoi se përshpirtëria ndaj Marisë mbetet e gjallë në zemrën e besimtarëve tanë dhe vazhdon të jetë një rrugë e sigurt drejt Krishtit. Të bashkuar me Marinë në lutje, iu lutëm Zotit që Kisha jonë të mbetet e fortë në fe, e palëkundur në shpresë dhe bujare në dashuri. Nën mbrojtjen e Zojës së Letnicës, secili besimtar u ftua të kthehet në jetën e përditshme me zemër të përtërirë dhe me gatishmëri për ta dëshmuar Ungjillin në familje, në bashkësi dhe në shoqëri.
O Mari, e ngritur në lavdinë qiellore, lutu për ne dhe na drejto gjithmonë drejt Birit tënd, Jezu Krishtit!