Në Dugujevë u bekua Kisha e re kushtuar Shën Nënë Terezës, në një atmosferë gëzimi, falënderimi dhe bashkimi të komunitetit. Bekimi i kishës u bë më 29 gusht 2026, nga Mons. Dodë Gjergji, duke shënuar një moment të rëndësishëm në jetën shpirtërore dhe komunitare të Dugujevës.
Historia e kësaj kishe është një histori besimi, përkushtimi dhe bashkimi, e cila nisi me hapa të vegjël, por me kalimin e kohës mori përmasa të mëdha shpirtërore dhe komunitare.
Gjithçka filloi vite më parë, me vendosjen e figurës së Zojës së Bekuar nga famullitari i atëhershëm, Don Gjergj Gjergji, në kodrën e fshatit, në një hapësirë ku në atë kohë ndodheshin vetëm varrezat e fshatit. Kjo nismë u prit në mënyrë të veçantë nga Dugujevasit. Me kalimin e kohës filloi dhurimi i tokës, ndërtimi i kishës dhe krijimi i një qendre të rëndësishme për komunitetin. Don Gjergj Gjergji e quante këtë vend “Kodra e Shenjtë”.
Me kalimin e viteve, objekti i kishës pësoi dëmtime dhe plasaritje të mëdha. Me ardhjen e Don Ambroz Demajt, duke parë nga afër gjendjen e saj, u pa si e domosdoshme ndërhyrja për të siguruar të ardhmen e kësaj qendre shpirtërore.
Në fillim kishte skepticizëm nëse një projekt i tillë do të mund të realizohej. Por, falë Zotit, ndërmjetësimit të Shën Nënë Terezës, pajtores së kësaj kishe, insistimit dhe besimit të Don Ambrozit, si dhe përkushtimit dhe bashkimit të bashkëfshatarëve në mërgim e në vendlindje dhe të shumë njerëzve vullnetmirë, ajo që dukej e vështirë u bë realitet.
Punimet filluan në prill të vitit 2025. Gjatë ndërtimit u bë përpjekje të ruhej origjinaliteti dhe kujtesa e kishës së vjetër. Në mënyrë të veçantë është ruajtur simboli i altarit, i punuar nga Don Gjergj Gjergji, i cili ka një domethënie të veçantë për këtë komunitet. I njëjti simbol është vendosur edhe në oborrin e kishës.
Prandaj, kjo nuk është vetëm histori e gurëve dhe mureve. Është histori e njerëzve që dhuruan mundin, kohën dhe zemrën e tyre. Është dëshmi se kur besimi shoqërohet me bashkim dhe vullnet të mirë, lindin vepra që i tejkalojnë brezat.
Në ditën e bekimit, Mons. Dodë Gjergji shprehu gëzimin që ndodhej në mesin e bashkësisë dhe falënderoi Zotin për punën e madhe që ishte bërë në këtë kishë kushtuar Shën Nënë Terezës: “Gëzohem që sot jam në mesin tuaj dhe e falënderojmë Zotin për punën e madhe që është bërë në këtë kishë kushtuar shenjtëreshës sonë, Nënë Terezës.”
Ipeshkvi, duke folur për domethënien e Kishës, theksoi se Kisha e gjallë jemi të gjithë ne, ata që e kanë pranuar Krishtin si Shpëtimtar dhe Mbret të gjithësisë.Duke kujtuar edhe fillimet e kësaj vepre, ai tha: “Kemi ardhur këtu me gëzim sot për të bekuar punën tuaj. Këtu ku Don Gjergj Gjergji vite më parë e ka ngritur një kishë kushtuar Nënë Terezës, kurse tani ajo ka marrë formën më të bukur e më të madhe. E falënderojmë Zotin për këtë.”
Çdo ndihmë, e madhe apo e vogël, u bë pjesë e këtij projekti. Prandaj, në këtë ditë gëzimi, bashkësia falënderoi Zotin dhe iu besua ndërmjetësimit të Shën Nënë Terezës, me lutjen që ajo t’i ndërmjetësojë të gjithë ata që kontribuuan dhe Zoti t’ua shpërblejë me të mira.
Kisha e re e Shën Nënë Terezës në Dugujevë është kështu një dëshmi e gjallë e besimit, bashkimit dhe përkushtimit të një komuniteti, si dhe një vepër që u lihet brezave të ardhshëm.
Teksti dhe fotografia: Kisha e Dugujevës