Lajme

Letër baritore e Imzot Dodë Gjergji famullive të Kosovës

Të dashur vëllezër meshtarë!
Rregulltarë e rregulltare!
Motra dhe vëllezër në Krishtin!
 
“Hiri i Jezusit, Zotit tonë, qoftë me ju!” (Rom 16, 20b)

Pas tre viteve të shërbimit dhe të përpjekjeve për të mbështetur njëri-tjetrin në zbatimin e përgjegjësive tona që burojnë nga detyrimi ungjillor dhe nga bashkimi ynë sakramental në Pagëzim e Meshtari, po përgatitem shpirtërisht të shtegtoj drejt Jush në Vizitën time Baritore.

Gjatë këtyre tre viteve, që kur m’u besua kujdesi për Kishën në Kosovë, shpeshherë ju kam takuar në bashkësitë tuaja famullitare, në shërbesat e përbashkëta liturgjike, po edhe në takimet personale që kemi pasur, Megjithatë, dëshiroj të shtegtoj drejt jush, si Bari i grigjës për t’ju takuar atje në vreshtin e Zotit, që t’ju falënderoj për punën e madhe që bëni; për t’ju takuar në ushtrimin e hirit sakramental, që të gëzohem me Ju për dhuratat që nxjerrin besimtarët tanë dhe t’ju bashkohem në këtë shërbim.

Dëshiroj të vij për të bashkëndarë me ju vështirësitë që i hasni gjatë përhapjes së Ungjillit  në mënyrë që të bëhem i dobishëm  në misionin tuaj, për t’i sjellë në dëgjesë të fesë të gjithë bijtë tanë (krh. Rom 1, 5b). Dëshiroj të shtegtoj drejt jush me “zemër në dorë”,  që të mund të shihni brenda saj tërë dashurinë e mallin që kam për ju, pres që të më pritni dhe të më pranoni me atë dashuri që të gjithëve na bashkon në Krishtin Jezus.
Mbështetur në përvojën biblike të Popullit të Zgjedhur, mësojmë, se, për të gjetur të mirën, të cilën Hyji e ka përgatitur për bijtë e vet, nevojitet për të shtegtuar prej gjendjes aktuale drejt kërkimit me sakrificë të asaj që na është premtuar.  Ky lloj shtegtimi drejt njëri-tjetrit, nuk është ecje e pakuptimtë në shkreti drejt realizimit të një qëllimi, por ecje kuptimplote nën përcjelljen e pranisë dhe dashurisë së Zotit (krh. Dal 14-18), që, me vuajtje dhe sakrificë, të meritojmë dhuratën e premtuar.

Krishti, Biri i Hyjit të gjallë, është figura më e përkryer e Atit tonë qiellor që shtegton në dashuri, nga gjendja e Tij hyjnore drejt nesh, në mënyrë që të mos na mungojë prania e Zotit e mbështetja e Tij, gjatë shtegtimit tonë drejt Qiellit.

Me zell të kësaj përvoje, duam të zbulojmë në njëri-tjetrin figurën e Krishtit, rëndësinë e misionit që na është besuar, si dhe dhuratën që na është premtuar, në mënyrë që të arrijmë të mbështesim njëri-tjetrin në dashuri, gjatë shtegtimit tonë në Kishë. Nën drejtimin e saj, ne ecim drejt qiellit, duke mbështetur grigjën e Atit tonë qiellor, që të dijë të mbërrijë atje.

Përvoja e shërbimit apostolik na mëson çfarë duhet të jetë dashuria dhe kujdesi i Bariut për Kishën dhe si duhet nga ajo të rrezatojë dashuria për të. Kjo dashuri duhet të burojë nga “zemra e zemrës” së Krishtit, e, me ndikimin e Shpirtit Shenjt, të derdhet përsëri në Të. “Është e drejtë t’i kemi këto ndjenja për ju! Për të vërtetë, unë ju mbaj në zemrën time, sepse ju të gjithë jeni pjesëtarët e hirit tim në prangat e mia, në mbrojtjen e në përforcimin e Ungjillit.” (Fil 1, 7)

Jam i lumtur që do të takohem me ju, që më mbështetni në uratë, ky do të jetë një moment hiri kur në uratë me Ju do të mund të shpreh tërë dashurinë në Krishtin. Bashkë me Ju do të lutem, që dashuria juaj të shkojë duke u rritur përherë e më me forcë në të njohur e në kuptim të plotë,  që të keni mundësi të dalloni çka është më e mirë, që të jeni të pastër si dielli dhe pa farë të mete për Ditën e Krishtit, të jeni përplot me fryt drejtësie që vjen nëpër Jezu Krishtin   për lavdi e nder të Hyjit. (krh. Fil 1, 9-11).

E dini mirë që ipeshkvi në  Kishë e ushtron detyrën e trefishtë. Prandaj, Ju ftoj të përgatitni bashkësinë tuaj famullitare dhe të gjitha gjymtyrët e saj, që të jetë e gatshme të më presë si:

  • munus docenti -  Shpallës i Ungjillit, dhe shi për këtë, përgjegjës për ungjillëzim dhe riungjillëzim, për mësimin e Kishës , për katekizmim etj;
  • munus santificandi -  Shenjtërues i Popullit të Zotit, së bashku me të gjithë të kushtuarit, duke qenë për besimtarë shembull shenjtërie dhe shenjtërues me fjalë, me shërbim e me jetë.
  • munus regendi -  Atë dhe Bari i grigjës, e cila më është besuar dhe të cilës duhet t’ia  dëshmoj, e pastaj edhe ta ruaj të pastër fenë dhe moralin, sjelljen dhe veprimin e meshtarëve dhe të besimtarëve.

Për të arritur këtë, domethënë të kuptojmë sa më mirë porosinë e Fjalës, përforcimin në fe, ngjalljen në shpresë, nxitjen në dashuri, na nevojitet një përgatitje sa më e mirë personale e vëllezërve meshtarë, po edhe e mbarë strukturave përbërëse të bashkësisë famullitare: e motrave, të Këshillit pastoral, e familjeve, e fëmijëve, e rinisë, e të  moshuarve, e të sëmurëve dhe e të varfërve. Me ju të gjithë dëshiroj të bashkëndaj fenë, ungjillin, kryqin dhe shpresën në të Ringjallurin.

Me anë të kësaj vizite, Kishën tonë të ndërtuar në themelet e Apostujve (krh. Ef 2, 20),  dëshiroj ta frymëzoj me  Fjalën e Zotit, ta begatoj me kremtimet liturgjike, ta nxis të angazhohet në bamirësi, dhe, nëpërmjet bashkëndarjes së gjithë kësaj, të thellohemi në fe e dashuri.
Mbi të gjitha, dëshiroj të jap kontribut për të përforcuar gjithë bashkësinë kishtare në paqe e në bashkim. Shpeshherë dëgjohen zërat e atyre që shkaktojnë përçarje dhe shkanduj në dëm të mësimit në të cilin jeni mësuar (Rom 16, 17). Prandaj dëshiroj të vij e t’ju them sy më sy e me zemër të sinqertë se ...dëshiroj të jeni të urtë për sa i përket së mirës e të jeni të pastër nga çdo e keqe (Rom 16, 19b), që të mos bëhemi shkandull e të mos poshtërohet shërbesa jonë. Përkundrazi, në çdo gjë e dëftojmë veten si mbarështues të Hyjit në Shpirtin Shenjt, në dashuri të çiltër, me fjalë të vërtetë, me fuqi të Hyjit, duke sulmuar e duke u mbrojtur vetëm me armë të drejtësisë (2 Kor 6, 4-7),  flas porsi me fëmijët e mi   hapeni edhe ju plotësisht zemrën tuaj! (2 Kor 6, 13).

Paqja brenda nesh na bën të shërbejmë, të shpallim dhe të jetojmë me gëzim dhe e gjithë vepra jonë të jetë më bindëse, si për ata që na binden në fe, po ashtu edhe për ata që janë në kërkim të saj. Kurse bashkimi na e krijon mundësinë që të jemi më të fortë përballë botës dhe më të sigurt në përballjen tonë me sfidat e jetës që na presin. Mbi të gjitha, bashkimi s’lë në vuajtje trupin e Krishtit dhe e vë në shërbim të shenjtërimit të botës çdo gjymtyrë të Tij. Sigurisht, edhe ju keni shumë gjëra për t’mi thënë në këtë drejtim, e mezi pres t’ju dëgjoj e të përtypë në zemrën time çdo shqetësim, sugjerim apo këshillë që ju doni të më jepni si kontribut i juaj për të mirën tonë në Krishtin.

Së fundi, o vëllezër e motra në Krishtin, gjatë këtij takimi me ju do të kemi mundësi të mirë të përgatitemi për ta përmbyllur Vitit Meshtarak, gjatë të cilit jemi përpjekur të përtërijmë besnikërinë ndaj thirrjes, të përmirësojmë shërbimin tonë në meshtari dhe  të rrisim besnikërinë tonë ndaj Krishtit dhe Kishës së tij.
Të dashur vëllezër e motra, kremtimi i Vitit Meshtarak është rast i volitshëm për t’u thelluar në vlerat e misionit të Meshtarit në jetën e Kishës dhe të botës. Prandaj, ju ftoj që të vazhdojmë të frymëzohemi nga shembulli i shenjtërve, për të cilët Kisha ditë për ditë, në përkujtimin e tyre, na i ofron si dritë që duhet të ndriçojë realitetin e kohës tonë e në të cilën duhet të gjejmë forca të reja për të ushtruar veprën e shëlbimit, që edhe ne të kemi pjesë në shoqërinë e shenjtërve në Krishtin.

Pastaj gjatë këtij viti do të ecim sipas shembullit të së Lumes Nëna Tereze dhe do të përpiqemi që sa më shumë të mbjellim në Zemrën e të gjithëve shembullin e dashurisë ndaj Zotit, kujdesin në dashuri për të afërmin dhe gatishmërinë për shërbim besnik në Kishë.

Në fund e përshëndes famullitarin, i cili me zell vazhdon të jetë shërbyes i të gjithëve dhe në shërbim të nevojave tuaja; përshëndes po ashtu motrat e nderit, rregulltaret, që veprojnë brenda bashkësisë suaj me përkushtim dhe me jetën e tyre dëshmojnë se ia vlen t’ia kushtosh tërësisht jetën Zotit. Përshëndes bijtë dhe bijat e bashkësisë suaj famullitare, të cilët në mënyrë të organizuar dëshirojnë të kontribuojnë në rritjen e fesë dhe në ushtrimin e saj në jetën familjare. Përshëndes Këshillin e kishës që kujdeset për të përkrahur famullitarin në drejtimin e famullisë, korin e kishës që me gëzim ia bën të mundur bashkësisë t’i këndojë lavde Zotit dhe e zmadhon çdo shërbesë liturgjike në kishën tuaj; përshëndes të rinjtë, fëmijët dhe ministrantët që i japin jetë lterit dhe oborrit të kishës, e, në veçanti, përshëndes të moshuarit që vazhdojnë të jenë shembull i mirë brenda bashkësisë suaj, sidomos gjatë meshës së përditshme dhe lutjes së rruzares, në Kishë. (krh. Rom 16, 1-16).

Prizren, 22 shkurt 2010
në të Kremten e Katedres së Shën Pjetrit

Mezi pres të vij dhe t’u marrë ngrykë të gjithëve

Ipeshkvi Juaj
+ Dodë Gjergji