Lajme

Don Marjan Ukaj emërohet famullitar i ri i bashkësisë kishtare të Kravaserisë dhe Llapushnikut

Të dielën pasdite, më 19 shtator, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, kremtoi Meshën Shenjte në Bashkësinë kishtare të Shën Sebastianit në fshatin Kravaseri të Malishevës. Gjatë Meshës Shenjte Imzot Gjergji, falënderoi ish-famullitarin Don Robert Jakaj dhe paraardhësit e tij (Don Shan Zefi e Don Tomë Karrica), që kanë kontribuar në ri-ndërtimin e këtij objekti dhe punën baritore të zellshme në famullinë e Kravaserisë dhe të Llapushnikut. Ipeshkvi ynë, në mënyrë të veçantë ka falenderuar paraardhësin e tij, Imzot Mark Sopin, i cili e ka pasur shumë për zemër këtë bashkësi të re të të pagëzuarve - vazhdoi ipeshkvi - gjithashtu jam i bindur se ai, lutet prej qiellit për këta katolik "të njomë" të qëndrojnë besnik ndaj Jezusit dhe mësimëve të Kishës Katolike, ashtu siç vepruan të parët e tyre, të cilët jetuan në kushte shumë më të vështira, sesa jetojmë ne sot.
Njëkohësisht gjatë Meshës Shenjte zyrtarisht e prezantoi Don Marjan Ukaj, si famullitar të Llapushnikut, Kravaserisë dhe fshatrave përreth (Nishor, Lladrovc, Komoran e Drenas), ndërsa Don Robert Jakaj do të marrë detyrë të re në dioqezë. Famullitarit të ri i dëshirojmë hire e bekime prej Zotit. Zoti e udhëheqtë në punën e tij baritore - përfundoi Imzot Dodë Gjergji.