Lajme

Deklaratë nga Zyra Ipeshkvore për mjetet pamore-dëgjimore

Kohëve të fundit qarkullon një incizim anonim dhe i pjesërishëm (në web faqen youtube.com), lidhur me  fjalën e rastit të Don Anton Kqira në një tubim në Detroit (në vitin 2007).

Don Anton Kqira, edhe pse me prejardhje nga Kosova, tash 20 vjet nuk është më nën jurisdiksionin e Ipeshkvisë së Kosovës, dhe si i tillë përgjigjet vetëm para autoriteteve kishtare në Detroit, ku edhe vepron.

Ne e dimë që autoritetet e shumta, kishtare politike dhe kulturore, nga të gjitha trojet shqiptare  e kanë njohur si kontribues të madh dhe mbështetës të fortë të çështjes sonë kombëtare, në SHBA. Kontributi i tij ishte i madh, sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Këtë gjë e dinë dhe mund ta dëshmojnë të gjithë ata që e njohin ose kanë pasur mundësi ta takojnë në aktivitetet e ndryshme që janë organizuar në Amerikë. Te ky njeri të gjithë kanë gjetur mikpritje, mirëkuptim, përkrahje dhe bashkëpunim vëllazëror.

Këto rrethana na bëjnë të shqetësohemi shumë dhe na befasojnë fjalët e tija, gjë që në asnjë mënyrë nuk e paraqet jetën dhe qëndrimet e tija të mëparshme në çështjen kombëtare dhe ndërfetare tek ne shqiptarët. Si duket shprehjet e vrazhda ishin  një çështje mllefi, zemërimi dhe hidhërimi, e mos të themi edhe dëshpërimi, për rrethanat në të cilat ai gjendej në momentin e këtij fjalimi.

Prandaj, Ipeshkvia e Kosovës nuk i ndanë në asnjë mënyre qëndrimet e tilla, të cilat nuk përputhen me besimin e krishterë, si dhe me qëndrimet e Kishës sonë, e as me veprimet e tija të mëparshme.
Ftohen të gjithë, që në raste të tilla të individëve të caktuar, siç e kanë pohuar në bisedën e tyre të këtyre ditëve Ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji dhe Kryemyftiu i Kosovës, z. Naim Tërnava, të vihen para përgjegjësisë personale dhe të mos lejohen të bëhen shkas ose rast lëkundjeje mirëbesimi, tolerance, bashkëpunimi dhe bashkëjetese vëllazërore tek ne shqiptarët.

Zyra e Ipeshkvit