Konferencë shkencore kushtuar Nënë Terezës
Të martën, më 7 shtator, në Hotel Grand në Prishtinë, në orën 09:00, fillon punimet Konferenca shkencore Ndërkombëtare “Jeta dhe vepra e Nënës Terezë”.
Në konferencë është paralajmëruar të paraqiten kumtesat e trajtesat shkencore të 21 studiuesve shqiptarë dhe huaj. Konferenca mbahet nën Patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe me bashkëpunimin e Ipeshkvisë së Kosovës. Ajo është organizuar nga Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë.
Në këtë Simpozium u tha se origjina, vendi e koha ku u lind, karakteri, orientimi e vepra dhe kontributi për njerëzimin e historinë shqiptare, janë tre faktorët kryesorë që e determinojnë figurën e Nënë Terezës.
Don Lush Gjergji tha se Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, e lindur më 1910 në Shkup, gjithë jetën e saj ia përkushtoi jo vetëm Jezu Krishtit, por edhe njerëzimit.