Seminari i 29-të i Gjuhës Shqipe me tryezë shkencore për Nënë Terezën
100 vjetori i lindjes së Nënë Terezës, jeta dhe figura e saj ishin tema kryesore e tryezës tradicionale të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë e Kulturës Shqiptare.
Shënimi i 100-vjetorit të Nënës Terezë në Kosovë ka filluar me një akademi solemnne për 30-vjetorin e laurimit të saj me çmimin Nobel për Paqe.
Rreth figurës grandioze të nobelistes me origjinë shqiptare, me kumtesa u paraqitën studiuesit: Don Lush Gjergji, Jusuf Bajraktari, Aljula Jubani-Bengu dhe Anton Nikë Berisha. Përveç studiuesve, seminaristëve dhe të tjerëve, të pranishëm ishin edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i Republikës së Kosovës, Lutfi Haziri dhe ipeshkvit të Kosovës Imzot Dodë Gjergji.
Ipeshkvi ynë Imzot Dodë Gjergji, ka përshëndetur Seminarin si dhe tryezën kushtuar Nënës Terezës. “Dëshiroj të falënderoj organizatorët e këtij seminari që sot ia kushtojnë këtë seancë Nënë Terezës, për të cilën keni dëgjuar dhe sigurisht jeni të lumtur që një njeri i tillë ka jetuar në botë, në thjeshtësi dhe në dashuri, duke investuar tërë jetën e vet në shërbim të tjerëve”, tha ai.
Pjesëmarrësit e Tryezës shkencore i përshëndeti edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës, Lutfi Haziri. Ai tha se nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Qeveria ka ndërmarrë një hap të tillë për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së nobelistes së parë shqiptare, Nënës Terezë, këtij përvjetorit të madh në koordinim më të gjitha institucionet e vendit. Kalendari tash më i miratuar nga ana e Qeverisë do të implementohet. Ju përmes kësaj tryeze bëni nder të veçantë për përkushtimin tuaj karshi veprës së madhe që ka pasur Nëna Terezë. Haziri bëri thirrje që me angazhimin tonë së bashku të ecim gjurmëve të saja, veprave të saj, humanizmit, që ndaj të gjithëve që kanë nevojë edhe në Kosovë ta kenë kujdesin tonë, ta kenë mëshirën dhe përkushtimin që të jetojnë më mirë se dje.
Gonxhe Bojaxhiu, e njohur me emrin si Nënë Tereza, e lindur më 1910, në Shkup, sipas Don Lush Gjergjit, gjithë jetën e saj ia përkushtoi jo vetëm Zotit, por edhe njerëzimit.
“Prijësja e parë e Nënë Terezës është universalizmi në çdo kuptim dhe drejtim, në çdo kohë dhe hapësirë. Ajo nuk kishte për qëllim asgjë tjetër, përpos të jetë rrezja e dashurisë së Zotit”, theksoi Gjergji.
Në tryezë u fol gjithashtu për rëndësinë e figurës së Nënë Terezës në aspektin historik të popullit shqiptar. Drejtori i Institutit të Historisë në Kosovë, Jusuf Bajraktari, tha se origjina, vendi e koha ku u lind Nënë Tereza, karakteri, orientimi e vepra e saj dhe kontributi i veprës së saj për njerëzimin dhe historinë shqiptare janë tre faktorët kryesorë që e determinojnë kryesisht figurën e Nënë Terezës.
Bajraktari paralajmëroi mbajtjen e një konference ndërkombëtare për jetën dhe veprën e humanistes shqiptare - ngjarje që pritet të mbahet në fillim të muajit shtator në Prishtinë.
“Këtë vit, kur instituti ynë ka shënuar me aktivitete shumë të rëndësishme, 100-vjetorin (e lindjes) së ndjerës më të madhe po e begatojmë me organizimin e një konference shkencore e ndërkombëtare në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës që do të mbahet më 7 shtator në Prishtinë për nder të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës”, bëri të ditur Bajraktari.
Një nga motot kryesore të Nënë Terezës, “Bëni gjëra të vogla me dashuri të madhe” veçoi punimin e profesoreshës në Universitetin e Tiranës, Aljula Jubani-Bengu.
“Na pëlqen parimi i Nënë Terezës për dashurinë që duhet t’i kushtojmë gjithçkaje që bëjmë. Por, si mund ta zbatojmë këtë në shoqërinë tonë ku nuk rreshtin goditjet e bërrylave, nënkëmbëzat e kacafytjet?”.
“Edhe Nënë Tereza i dinte këto, i provoi, i njohu, por nuk u tërhoq në misionin e saj”, u shpreh Jubani-Bengu.
Në përfundim të tryezës shkencore seminaristët vizituan Katedralen “Nëna Terezë”, në Prishtinë.