Vizita Baritore e Ipeshkvit tonë Imzot Dodë Gjergji (5)
Vizita baritore në famullinë e Shën Ndout në Binçë
Të enjten me 29 korrik, Ipeshkvi ynë Mons Dodë Gjergji, filloi vizitën baritore në famullinë e Binçës. Qëllimi i vizitës së ipeshkvit është që të njihet më për së afërmi me jetën pastorale në famulli dhe me vet besimtarët. Famullitari në bashkëpunim me këshillin e Kishës, me motrat dhe besimtarët i kanë rezervuar një pritje të ngrohtë e të përzemërt në oborrin e kishës filialë në Kabash. Për ta pritur Ipeshkvin ishin besimtarët e të gjitha moshave. Në emër të famullisë Bernadeta Sopi përshëndeti Ipeshkvin dhe i dëshiroj mirëseardhje në famullinë e Binçës. Gjithashtu një vajzë me veshje kombëtare ia dhuroi Ipeshkvit një buçetë me lule.
Pastaj Ipeshkvi e puthi kryqin, siç e parasheh Riti i Vizitës Baritore dhe u nis drejt Kishës, ku filloi Rruzarën shenjte. Po ashtu Ipeshkvi e udhëhoqi edhe Meshën Shenjte, në bashkëkremtim me Mons Zef Gashin, Arqipeshkvin e Tivarit; Don Lush Gjergjin, Vikarin Gjeneral; Don Albert Jakaj, Sekretar i Ipeshkvit; Don Izidor Llukiqi, At Shtjefen Dodes dhe famullitari Don Albert Demaj. Meqenëse atë ditë liturgjikisht ishte Shën Marta, ipeshkvi gjatë pretkut theksojë se ne duhet të jemi punëtorë si Marta, bujarë si ajo, por ne duhet të jemi edhe si Maria, njerëz që dinë të gjejnë kohë për t’u lutur.
Në mbrëmje famullitari kishte organizuar një darkë me Ipeshkvin dhe Këshillin e kishës dhe përfaqësues të Këshillit të rinjve. Përveç darkës u zhvillua edhe një bisedë e përzemërt ku ipeshkvi u informua për jetën në famulli.
Të premten, më 30 korrik, Ipeshkvi i shoqëruar prej bashkëpunëtorëve, vazhdoi vizitën në famullinë e Binçës. Vizituam shtëpinë e Gjergjit Lushit Lilit, për të parë punën që ka bërë famullitari me Këshillin, duke ia punuar shtëpinë e re këtij besimtari që jetonte në kushte shumë të vështira. Pastaj vizituam një të sëmurë: plakën e Lazit Bajramit, ku Ipeshkvi e bekoi dhe u lut për shëndetin e saj. Më pas vizitoi edhe familjen e Don Aleksander Kolës, për të shprehur ngushëllimet për vdekjen e babait të tij, po ashtu edhe te familja e ipeshkvit të ndjerë Mons Mark Sopit, pra të Ndue Sopi. Vlen të theksohet se pritja tek të gjitha këto familje ishte shumë e përzemërt.
Pasdite motër Monika me fëmijët i kishin përgatitur ipeshkvit një program argëtues për mirëseardhje në Binçë. Disa fëmijë me veshje kombëtare vallëzuan disa valle, recituan dhe me një tekst të bukur e përshëndetën ipeshkvin.
Pastaj ipeshkvi kremtoi Meshën në Viti. Por gjatë rruzares ai ishte në disponim për Rrëfim, të cilën shumë besimtarë edhe e shfrytëzuan. Kisha ishte përplot me besimtarë. Me ne ishte i pranishëm edhe Mons Zef Gashi dhe disa meshtarë të tjerë. Ipeshkvi gjatë predkut foli për përgjegjësitë që i kemi para Zotit, familjes dhe shoqërisë.
Në mbrëmje ishte një takim me kryefamiljarët ku ata i treguan ipeshkvit për brengat dhe problemet që i hasin në jetë apo në përgjithësi. Por shumë prej tyre e pyetën edhe për punimet në Katedralen e re në Prishtinë. Ipeshkvi, porsi Bari i shpirtërave, me urti përgjigjej dhe i dëgjonte me kënaqësi pyetjet e tyre.
Të dielën Ipeshkvi e udhëhoqi meshën në ora 11:00 në bashkëkremtim me Mons Zef Gashin, Don Shan Zefin, Don Marjan Demaj, Don Albet Jakaj, Don Izidori, At Shtjefni dhe famullitari Don Albert Demaj. Kisha ishte e vogël për t’i zënë të gjithë besimtarët që kishin ardhur për të marrë pjesë në Meshën Shenjte. Gjithçka ishte shumë solemne. Ipeshkvi gjatë predikimit përshëndeti mërgimtarët e shumtë në Kishë. Dhe duke u bazuar në ungjill, theksoi: “Të parët tanë humbën tërë pasurinë dhe nuk donin të largoheshin prej këtij vendi, vetëm për të ruajtur besimin e gjallë që kishin në Krishtin. Ju bashkatdhetarë të dashur, po leni këtë vend të larë me gjakun e martirëve, për një pasuri më të madhe, për një jetë më të mirë. Ne i gëzohemi shumë suksesit tuaj. Nuk dyshojmë aspak që ju nuk keni përparuar ekonomikisht, nuk keni siguruar një jetë më të mirë për fëmijët tuaj, por deri sa ju jeni punëtorë e të vyeshëm si Martat, sa dini të jeni si Maria? Më vjen keq të them se ende asnjë thirrje e shenjtë nuk ka lindur në familjet e bashkatdhetarëve tanë!? A thua pse? A thua jo për faktin se në familjet tuaja nuk luteni shumë! Ju ftoj, o vëllezër e motra, të mos i harroni këto troje të lara me gjakun e martirëve tanë! Iu thërras juve të rinjve mos i lëshoni këto troje duke u ankuar në kushte të vështira. Sepse kushtet që i kemi sot, të partë tanë s’kanë mundur as t’i ëndërrojnë. Prandaj, ju ftojë të gjithëve që me angazhim dhe përkrahje të njëri-tjetrit të punojmë palodhshëm për një ardhmëri më të lumtur për të gjithë. Duke mos harruar faktin më e rëndësishme është që të jemi sa më të mirë, e më të ndershëm, apo më të shenjtë, se sa të pasurohemi ekonomikisht. Pra, dashtë Zoti që ne të përparojmë edhe ekonomikisht por edhe më shumë shpirtërisht. Amen.”
Në përfundim famullitari duke e falënderuar Ipeshkvin për vizitën, duke treguar kështu kujdesin dhe dashurinë e vet për famullinë tonë, ia dhuroi ipeshkvit një skulpturë të vogël të shën Gjon Maria Vianej.
Pas Meshës, pasi ipeshkvi u përshëndet me besimtarët e shumtë në oborr të kishës, besimtarët bën shumë foto me Bariun e tyre ishte edhe takimi me të rinjtë e famullisë. Të rinjtë e famullisë patën mundësi të bëjnë shumë pyetje Ipeshkvit dhe njëkohësisht morën shumë përgjigje inkurajuese nga vetë Ipeshkvi.
Vizita e ipeshkvit tonë përfundoi me drekën e përgatitur nga Motrat Bijat e Dashurisë Hyjnore, të cilat shërbejnë për shumë vite në famullinë e Binçës. Dhe kështu përfundoi Vizita Baritore, ku besimtarët mbetën të kënaqur, sepse patën rastin të takohen për së afërti me Bariun e tyre.