Lajme

Imzot Dodë Gjergji në vizitë në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës

Më 27 korrik, Ipeshkvi ynë Imzot Dodë Gjergji me bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar Myftiun z. Naim Tërnava në selinë e BIK-ut në Prishtinë, me të cilin bisedoi për koordinimin e punëve të dy Bashkësive fetare në ngjarje të rëndësishme.
Pas takimit, Myftiu Tërnava tha: “Për Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës sot ishte një nder i veçantë, ngase patëm në vizitë ipeshkvin Dodë Gjergji. Si gjithherë, si deri tash, ashtu edhe në të ardhmen të dy bashkësitë tradicionale fetare këtu në Kosovë, do të kenë një bashkëpunim edhe më intensiv për një mirëqenie të përgjithshme të të gjithve. Në takimin e sotëm biseduam që të dy bashkësitë në vazhdimësi të kemi koordinim të punëve, aty ku shumë gjëra ne na bashkojnë, gjithashtu, biseduam të punojmë edhe më tepër për në kultivimin e mirëkuptimit, duke respektuar besimin e njëri - tjetrit dhe duke dhënë masazhe për paqe, tolerancë e mirëqenie. Në takimin e sotëm biseduam edhe për nevojën e koordinimit të veprimeve me rastin e manifestimeve të ndryshme, të cilat organizohen qoftë nga Ipeshkiva qoftë nga Bashkësia Islame.”
Ndërsa Ipeshkvi ynë Mons Dodë Gjergji tha: “Në vazhdën e takimeve të mia me autoritetet në vend për të përgatitur sa më mirë për 100  vjetorin e Nënës Tereze, unë jam këtu në Bashkësinë Islame, siç e tha edhe myftiu Tërnava, për të konfirmuar edhe njëherë se Kisha Katolike e respekton Bashkësinë Islame të Kosovës, dhe së bashku me të dëshiron që të bashkëndajë momente të rëndësishme. Njëkohësisht ne dëshirojmë që të falënderojmë Bashkësinë Islame, e cila është e hapur për bashkëpunim dhe e cila shpreh gatishmërinë për të qenë së bashku në momentet e rëndësishme. Ne gëzohemi që angazhimi ynë i përbashkët dhe i sinqertë do të jetë një dëshmi më e fuqishme, jo vetëm për popullin tonë, por edhe për të gjithë njerëzit vullnetmirë, sepse duke ecur së bashku, ne vërtetë mund të kemi vështirësi, por jemi gjithmonë aty për të ndihmuar dhe për të mbështetur njëri-tjetrin”.